“The Sun”: Ja ‘britanikët’ shqiptarë me identitet të rremë

Dy shqiptarë në Britaninë e Madhe kanë fituar të drejtën e qëndrimit në vend gjatë një procesi gjyqësor në Gjykatën e Lartë.

Sipas tabloidit britanik “The Sun”, shqiptarët kanë shkuar në shtetin ishullor me identitet të rremë, duke pretenduar se ishin refugjatë lufte nga Kosova.

Dinjan Hysaj 40 vjeç emigroi në Britani në vitin 1999, ndërsa në vitin 2011 ai u dënua me 5 vite burg pasi sulmoi fizikisht një person.

Shqiptari i dytë, Agron Bakijasi 44 vjeç gjithashtu ka shkuar në Angli me dokumente të rreme. Identiteti i tij i vërtetë u zbulua në vitin 2007. “The Sun” shkruan se ai aplikoi sërish me dokumente të rreme dhe fitoi nënshtetësinë britanike.

Pasi u zbuluan gënjeshtrat e tyre, ministri i Brendshëm britanik urdhëroi që të dy shqiptarët të deportoheshin nga vendi. Dinjani dhe Agroni e çuan çështjen në Gjykatë duke refuzuar largimin nga Britania.

Avokatët e tyre argumentuan para trupit gjykues se gënjeshtra për të marrë nënshtetësinë britanike nuk ishte arsye e mjaftueshme për t’i privuar ata nga kjo e drejtë. Në përfundim, Gjykata e Lartë vendosi në favor të shqiptarëve, duke argumentuar se: “Nuk është e qartë kur përdorimi i identitetit të rremë për të fituar nënshtetësinë mund të çojë në anulimin e saj. Në rastin aktual, as kërkuesit nuk pretendojnë që të jenë dikush që nuk janë”.

Lexo edhe:  Ahmeti: Serbisë po i dhemb shumë Unioni i Bashkive Shqiptare

“Tani shpenzimet gjyqësore për të dy do të paguhen nga taksapaguesit britanikë, një vlerë që shkon në 1 milionë Paund”, shkruan “The Sun”.

Pas vendimit gjyqësor, Ministria e Brendshme e Britanisë së Madhe tha se do të ndjekë të tjera rrugë ligjore për dëbimin nga vendi të dy shqiptarëve. /tvklan.al