Trump thotë se ka bërë shaka kur e ka falënderuar Putinin

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se kishte bërë shaka kur e ka falënderuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për urdhërimin e shkurtimeve të mëdha në numrin e personelit diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Rusi, duke u shprehur se ky veprim do të mundësonte kursim të parave amerikane.

“Absolutisht, mendoj se ju e dini këtë”, tha mbrëmë Trump, pasi ishte pyetur nga gazetarët nëse ai ishte sarkastik pardje, kur tha se “shumë” i falënderohet Putinit për ndihmën në reduktimin e shpenzimeve të Departamentit të shtetit.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, po ashtu tha se Trump “ishte shprehur me sarkazëm” kur i ka bërë këto komente.

Muajin e kaluar, presidenti Putin urdhëroi që Shtetet e Bashkuara ta zvogëlojnë për 755 numrin e të punësuarve diplomatikë në Rusi, në përgjigje të legjislacionit të ri e të ashpër amerikan, me të cilin forcohen sanksionet kundër Moskës, për shkak të agresionit të saj në Ukrainë dhe për përzierje në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar.

Lexo edhe:  SHBA - Ish-presidenti Carter: Trump ka nevojë për lutjet e amerikanëve

Raportohet se Shtetet e Bashkuara i kanë gjithsej 1,200 të punësuar diplomatikë në Rusi.