Veseli: Kosova do ta krijojë shpejt ushtrinë në partneritet me NATO-n

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli deklaroi se pothuajse gjatë një dekade të funksionimit si shtet i pavarur dhe sovran, Kosova është dëshmuar si faktor i paqes, stabilitetit dhe forcimit të demokracisë në regjionin e Ballkanit.

Veseli potencoi angazhimin e Kosovës për raporte të mira me të gjithë fqinjët e saj, përderisa me Serbinë vazhdon dialogu për normalizim raportesh, si fazë e parë në procesin e pashmangshëm të njohjes reciproke.

Sa i përket Malit të Zi, Veseli tha se nuk do të lejohet në asnjë mënyrë që marrëdhëniet e shkëlqyeshme me të, të cenohen apo vihen në diskutim. Ai tha se dilemat e brendshme rreth demarkacionit nuk do të ndikojnë në miqësinë e qëndrueshme mes dy shteteve dhe se këto dilema do të tejkalohen pa i lënduar miqtë dhe partnerët tanë.

“Ne sot ndihemi krenarë me kadetët e FSK-së për suksesin që po tregojnë në garat më të mëdha ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s. Ky sukses është vetëm një shembull që tregon se kjo Forcë është gati për të marrë rolin që i takon në dinamikën e sigurisë rajonale dhe globale.

Lexo edhe:  Familja i kërkon Agim Bahirit që të rikandidojë për kryetar të Mitrovicës

Transformimi i saj në Ushtri të Kosovës është proces i pandalshëm, i domosdoshëm dhe në interes të të gjitha palëve”, theksoi kryeparlamentari Veseli, duke shfaqur besimin se shumë shpejt ky proces do të përmbyllet, në harmoni me kushtetutën dhe vullnetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Këto komente Veseli i bëri sot në Prishtinë ku po mbahet konferenca rajonale e sigurisë “NATO dhe Ballkani Perëndimor – Dinamikat rajonale në epokën e sfidave të sigurisë globale”.

Në konferencë të pranishëm janë drejtuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe përfaqësues të lartë të NATO-s, të shteteve të rajonit dhe personalitete të tjera të rëndësishme nga Kosova dhe më gjerë.