Veseli letër Kryeprokurorit: Kërkon hetim për akuzat e deputetes së VV’së Drita Millaku (Dokument)

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i ka dërguar letër Kryeprokurorit të Shtetit, nëpërmjet të cilës kërkon që Prokuroria e Shtetit të kërkoj fakte nga deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku, e cila në seancën e së mërkurës ka akuzuar publikisht presidentin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli lidhur me vrasjen e Ekrem Rexhës – i njohur si Komandant Drini.

Gazeta Express ka siguruar nga burime brenda Prokurorisë letrën që Veseli ia ka dërguar kryeprokurorit të shtetit.

Nëpërmjet kësaj letre, Kryeparlamentari Veseli ka kërkuar nga Prokuroria që në këtë rast, njësoj si në çdo rast tjetër të ndjeshëm për opinionin publik, kur bëhet fjalë për akuza të drejtpërdrejta, të mos i nënvlerësojë ato, por të veprojë sipas ligjeve në fuqi.

“Pres që sa më parë të ndërmerrni masat e duhura ligjore ndaj Deputetes Millaku, njësoj si ndaj çdo personi që deklarimet e tyre publike nuk i mbështesin me fakte. Çdo vrasje që ka ndodhur në rrethana të pasqaruara, si veprim kriminal, duhet të hetohet dhe të ndriçohet plotësisht. Ky është një obligim institucional, ligjor, dhe njerëzor”, thuhet në letrën që Veseli i ka dërguar Prokurorisë së shtetit.

Lexo edhe:  Qeveria me prioritet reformat për rritjen e konkurrueshmërisë

Në rast të mos paraqitjes së fakteve për akuzat e bëra publike, deputetja e Vetëvendosjes Drita Millaku mund të dënohet për shpifje.

Nuk është hera e parë që deputetët e Kuvendit të Kosovës bëjnë akuza të ndryshme publike për interesa politike por asnjëherë nuk kanë shkuar në institucionet e drejtësisë për të paraqitur ndonjë fakt, por po ashtu as prokuroria asnjëherë nuk ka ndërmarrë masa sipas ligjeve në fuqi për të gjobitur deputetët për shpifje.