Veseli në Mitrovicë: Qytetarët kanë vendosur për fitoren e PDK-së

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, para mijëra mitrovicasve, ka thënë se Mitrovica nuk e duron stagnimin dhe nuk e duron keqqeverisjen.

Ai ka thënë se Mitrovica kërkon ndryshim e zhvillim dhe qytetarët e saj e kanë marrë vendimin për fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës.

“22 tetori është dita e fitores së madhe të Partisë Demokratike të Kosovës, një fitore që do të jehojë nga Mitrovica në Prizren, nga Peja në Kamenicë, anekënd Kosovës”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se e ndjen atmosferën e fitores kudo në rrugët dhe lagjet e Mitrovicës.

“Mitrovica ka vendosur të udhëhiqet nga një grua e suksesshme, nga një grua që Mitrovicën e ka pasion shpirtëror e jetësor. Valdete Idrizi është gruaja, që si askush tjetër, e shpreh më së miri identitetin e Mitrovicës”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se Valdete Idrizi ka marrë përsipër një mision të shenjtë, që Mitrovicës t’ia rikthejë krenarinë dhe ajo do t’ia dalë.

“Ne qëndrojmë pas saj, të gjithë bashkë, si Mitrovicë, përtej gjitha dallimeve tona. Ajo e ka bashkuar Mitrovicën. Kjo është forca e gruas kosovare”, ka thënë ai.

Me Valdete Idrizin kryetare, Veseli ka thënë se Mitrovica do të bëhet një qytet që punon, sepse Mitrovica mbi gjithçka tjetër e çmon punën, e çmon djersën e ballit dhe mirëkuptimin qytetar.

I pari i PDK-së ka thënë se Mitrovica ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim ekonomik, që pak qytete në Kosovë e regjion e kanë.

“Qëllimi ynë i parë është krijimi i shpejtë i zonës së lirë ekonomike në Mitrovicë. E kemi një projekt konkret për eliminimin e shpejtë të mbetjeve industriale në pjesën e ish-fabrikës së akumulatorëve. Ajo pjesë do të pastrohet dhe do të kthehet në zonë të lirë ekonomike e lidhur direkt me autostradën dhe hekurudhën”, ka thënë ai.

Veseli ka thënë se Mitrovica është qytet i dy lumenjve, që me veprime konkrete më nuk do të jenë vende të hedhjes së mbeturinave, por hapësirë e bizneseve që do hapin shumë vende pune për të rinjtë e Mitrovicës.

“Projekti i Liqenit të lidhur me Ibrin do të vazhdojë deri në Qabër, derisa Ibri dhe Sitnica nuk do të jenë vetëm bukuria e qytetit, por edhe mundësi biznesi dhe punësimi”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se e kanë projektin konkret për fillimin e hapjes se 200 bizneseve të kristaleve në Shalë të Bajgores.

Lexo edhe:  BE: Asgjë s’ka ndryshuar - dy kushtet për liberalizim vizash janë të njëjta

“Shala e Bajgores do të marrë dimensionet e një zone turistike po aq atraktive sa Brezovica dhe Boga e Rugovës. Subvencionet, grantet dhe fondet do të orientohen në krijimin e një qendre industriale prodhimit të qumështit dhe produkteve të mishit në zonën malore të Shalës. Mijëra vende pune do të hapen në Shalë të Bajgores”, ka premtuar Veseli.

Ndërsa, kandidatja e PDK-së për Kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, ka thënë se me fitoren e saj do t’u jepet fund padrejtësive dhe trajtimit jodinjitoz të qytetarëve të Mitrovicës.

“Nuk mund të rrija indiferente ndaj padrejtësive në komunën tonë. Është thelluar varfëria, qyteti ynë e harroi fjalën zhvillim. Shumë punëtorë mbeten të papaguar. Shumë njerëz të aftë u lanë të papunë. Shumë qytetarë u lanë pa shërbime mjekësore e shumë fëmijë pa mësim. Më 22 tetor, ndryshimin e madh do të mund ta bëjmë vetëm së bashku me qytetarët e Mitrovicës”, ka thënë Idrizi.

Ajo ka shtuar se me fitoren e PDK-së, Mitrovicës përfundimisht do t’i kthehet lavdia, do t’i vijnë fonde të shumta dhe të gjitha projektet do të realizohen në përpikëri, me punë të ndershme, me përkushtim të madh, në bashkëpunim me partnerët donatorë.

Idrizi ka thënë se ka një plan të hollësishëm për gjenerimin e shumë vendeve të reja të punës.

“Le ta bëjmë bashkë Mitrovicën, qytetin tonë modern, ashtu siç e meritojmë. Një qytet ku shërbimet publike janë vërtet në shërbim të qytetarëve. Ku ata do të mund ta jetësojnë potencialin e tyre në të mirë të shoqërisë dhe qytetit. Ku gjyshërit do të gëzojnë një pleqëri të dinjitetshme. Ku ndërmarrësit do të ndihet të fuqizuar. Ku fermerët do të kontribuojnë dhe do të jenë shtylla të zhvillimit. Ku punëtorët do të kenë kushte më të mira pune. Ku turizmi, artistët e sportistët do të jenë në plan të parë dhe ku qytetarët do të trajtohen në mënyrë të barabartë”, ka theksuar Idrizi.

Kandidatja e PDK-së për Kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, ka premtuar se qeverisja e saj do të shquhet me transparencë të plotë, llogaridhënie dhe përgjegjshmëri të lartë, me njerëzit më të mirë në pozitat e duhura.