Vrasja e dy motrave në Zvicër, flasin të afërmit: Alma dhunohej prej 18 vjetësh

Një shqiptar nga Kosova tronditi Zvicrën. Ai vrau dy gra në Zvicër, gjegjësisht gruan e tij dhe motrën e saj.

54-vjeçari me inicialet R.B, akuzohet se vrau gruan e tij Alma B, 38 vjeçe, dhe motrën e saj, Eldën, 31 vjeçare. Krimi ndodhi në kantonin e Aargaut.

Policia e kantonit të Aargaut, e kishte konfirmuar krimin dhe arrestimin e një të dyshuari, po nuk kishte dhënë detaje më shumë gjatë ditës së djeshme.

Por sot, janë zbuluar detaje të reja nga krimi makabër. Media zvicerane, “Blick”, shkruan se Elda kishte ardhur nga Franca, ku jetonte prej vitesh për të kaluar festat e fundvitit tek e motra e saj, Alma.

Më të dëgjuar lajmin e kobshëm, familjarët e viktimave, që janë nga Lezha, kanë udhëtuar nga Franca për në Zvicër. Kreshniku, bashkëshorti i motrës së tretë të viktimave, i cili jeton edhe në Francë ka ngritur akuza ndaj baxhanakut të tij, R.B për kryerjen e vrasjes. Sipas “Blick”, çifti jetonte bashkë prej 18 vitesh, ndërsa kishin tre fëmijë, dy vajza: 16 dhe 7 vjeçe si dhe një djalë, 14-vjeçar.

Lexo edhe:  Aurora, një zë i shqiptarëve në Suedi

Ndërsa, banorët përreth vendit të krimit i kanë thënë ’20minuten’ se çifti nuk ishte shumë kohë që ishin vendosur të banonin në apartamentin ku ndodhi vrasja e dyfishtë., por Kreshniku ka pohuar se R.B e dhunonte prej vitesh gruan e tij, saqë shumë herë e kishte bërë për spital.

Kreshniku, duke folur për medien zvicerane, ka tregua se R.B. e kishte mbajtur të mbyllur Almën, duke mos e lejuar të integrohej në Zvicër dhe të mësonte gjermanishten. Gruaja kishte tentuar që ta denonconte bashkëshortin disa herë, por nuk kishte pasur asnjëherë guxim.

Ndërsa, banorët e zonës përreth, kanë deklaruar se disa herë nga banesa e çiftit është dëgjuar britmë dhe zhurmë e grindje.