Zeka: Sulmi ndaj Agron Mustafës dëmton shumë imazhin e Kosovës

Drejtori Ekzekutiv i Odëa Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka ka vlerësuar se sulmi ndaj drejtorit të Telekomit të Kosovës Agron Mustafa nga pjesëtar të Policisë së Kosovës është një dekor i keq në imazhin edhe ashtu negativ për Kosovën.

“Aktet e dhunës ndaj Drejtorit të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafës e aq më shumë të ushtruara nga organet e zbatimit të ligjit, të cilat do të duheshin dhënë maksimumin që bizneset të ndjehen më të sigurta në punën e tyre, në një mjedis për të cilin edhe ashtu ka shqetësime të mëdha në aspektin e sigurisë, do të ishin një dekor i keq në imazhin edhe ashtu negativ për vendin, tha Zeka në një intervistë për RTKlive.

Sipas tij rastet si ky, por edhe rastet e dhunës ndaj gazetarëve dhe zyrtarëve të tjerë, të cilat sikur janë shtuar kohëve të fundit, duhen dënuar zëshëm dhe nga të gjithë.

“Policia e Kosovës është ndër institucionet më të besueshme në vend, ndërsa pjesëtarët e saj në të gjitha nivelet, duhet të kontribuojnë që ky besim të vazhdojë, tha Zeka.

Intervista e plotë e drejtorit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka

Sa jeni të kënaqur me politikat qeverisë së re sa i përket ekonomisë?

Zeka: Qeveria e re ka aplikuar një politikë të derës së hapur, duke shprehur gatishmërinë për të takuar, dëgjuar dhe marrë në konsideratë shqetësimet dhe rekomandimet e organizatave që përfaqësojnë interesat e komunitetit të biznesit. Një qasje ndryshe është aplikuar edhe para takimit të parë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, me disa takime paraprake përgatitore mes palëve të interesit, me qëllim të harmonizimit të qëndrimeve përkitazi me tema të ndryshme. Fillimi i vitit shënon edhe aplikimin e masave të reja fiskale, përfshirë lirimet e reja doganore për lëndët e para, gjysmëproduktet dhe pajisjet e teknologjisë së informacionit, si dhe të akcizës për lëndët djegëse, kërkesë kjo e kahmotshme e Odës Ekonomike Amerikane dhe organizatave të tjera. Ne besojmë se pavarësisht efekteve në reduktimin e të hyrave në periudhë afatshkurtër, në periudhë afatmesme dhe afatgjatë, aktivitetet e shtuara ekonomike do të ndikojnë në të hyra më të mëdha për buxhetin e vendit dhe përmirësimin e bilancit tregtar të vendit. Në anën tjetër, bizneset do të mund të investojnë në plane të reja biznesi, si dhe në krijimin e vendeve të reja të punës dhe ngritjen e cilësisë. Qeveria, megjithatë, duhet të jetë më e kujdesshme për sa i përket vendimeve të cilat mund të kenë efekte negative mbi sektorin privat dhe prospektet e punësimit, posaçërisht ai për rritjen e pagave në sektorin publik dhe rritjen e pagës minimale. Vendimet e tilla, që nuk bazohen në rritjen reale ekonomike, kapacitetet e sektorit privat, shkallën e papunësisë, etj. do të rrisnin presionin mbi sektorin privat, por edhe mbi buxhetin edhe ashtu të kufizuar të vendit, i cili në pamundësi të përballimit të kërkesave të shtuara, do të detyronte Ministrinë e Financave të vepronte mes dy opsioneve të mundshme: zvogëlimin e investimeve kapitale, të cilat vazhdojnë të jenë njëri prej elementeve më me ndikim në rritjen ekonomike, ose rritjen e normave tatimore, duke e bërë kështu vendin më pak atraktiv para investitorëve të huaj krahasuar me vendet e rajonit. Vendimet e tilla duhet të diskutohen në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe duhen shikuar nga një perspektivë më e gjerë pa u ndikuar nga fryma populliste. Ndërmjet një dinamizmi më të madh i cili mund të sjellë vendime të ngutshme dhe me gjasë të dëmshme, dhe një dinamizmi më të ngadaltë i cili megjithatë rezulton me vendime që i qëndrojnë kohës, është e nevojshme të gjendet një mënyrë e përshtatshme e veprimit, e cila do të mundësonte zhvillim më të shpejtë, por që do të trajtonte interesat e të gjithë hisedarëve në shoqëri, si dhe do të kishte mbështetje në bazën ligjore.

Si e vlerësoni marrëveshjen për “Kosovës së re”?

Zeka: Pavarësisht se është e vonuar, ndërtimi më i shpejtë i termocentralit “Kosova e Re” do të ndihmonte në tejkalimin e atij që ka qenë ndër problemet më të mëdha me të cilin janë përballë bizneset, e që është furnizimi i qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike. Marrëveshja me kompaninë amerikane “Contour Global” është e rëndësishme edhe se përbën investim amerikan dhe njëherit investimin më të madh të huaj në Kosovë. Efektet e një investimi të tillë do të shtrihen në sektorë të tjerë, duke ndihmuar kështu në zvogëlimin e papunësisë në vend. Duhet përmendur për të mirë edhe marrjen në konsideratë të aspekteve sociale dhe mjedisore, meqë termocentrali do të ndërtohet në pajtim me standardet mjedisore të Bashkimit Evropian. Dhe krejt në fund, duke qenë që Qeveria e re ka përmbyllur një marrëveshje e cila ka nisur nga qeveritë e mëparshme, dhe kjo është një tregues i konsistencës në qeverisje, sidomos kur bëhet fjalë për projekte investive e zhvillimore. Investitorët ndjehen më të sigurtë të investojnë në një vend në të cilin, ndryshimet politike në qeverisje, nuk ndikojnë në projekte të tilla.

Lexo edhe:  “Wizz Air” inauguron fluturimin në “Adem Jashari”

A ka rrezik që mund të dështojë ky investim gjigant?

Zeka: Për shkak të kohës së madhe të shpenzuar në negocimin e këtij projekti dhe burimeve të tjera të shpenzuara edhe nga ana e institucioneve të vendit të përkrahura nga institucionet ndërkombëtare, por edhe nga ana e investitorit, dështimi nuk do të duhej të ishte opsion. Kosova, tashmë ka shënuar dështime të shumta në projekte strategjike, si privatizimi i telekomit, projekti i Brezovicës, të cilat natyrisht rëndojnë mbi imazhin edhe ashtu jo të mirë të cilin e gëzon vendi në sytë e investitorëve të huaj. Besoj që akti i nënshkrimit përfundimtar ka ardhur pas trajtimit të të gjitha aspekteve, duke mos lënë hapësirë për dështimin e mundshëm të këtij projekti.

Si të rritet mundësia që të kemi më shumë investime të huaja në Kosovë?

Zeka: Dëshiroj të them që në fillim që Kosova megjithatë ka ndjekur një rrugë të vazhdueshme të reformave me qëllim të lehtësimit të mjedisit për të bërë biznes dhe kjo është reflektuar nga viti në vit edhe në raportin e Bankës Botërore që mat lehtësinë e të bërit biznes në mbi 190 vende të botës. Rangimi në vendin e 40-të për Kosovën dhe vlerësimi në mesin e dhjetë vendeve më reformatore është lajm i jashtëzakonshëm, të cilin fatkeqësisht institucionet e vendit nuk po e materializojnë. Lajmi do të duhej të ishte përcjellë me aktivitete agresive promovimi nga ana e institucioneve përkatëse. Tashmë, është finalizuar edhe baza ligjore për futjen në fuqi të Ligjit për Investime Strategjike dhe Kosova së paku në aspektin legjislativ ofron përparësi të shumta konkurruese. Institucionet duhet të jenë të vëmendshme dhe të përgatitura që këto përparësi t’i demonstrojnë edhe në praktikë, meqë nuk do mend që do të ketë interesim më të shtuar të investitorëve dhe pritshmëri më të madhe nga Kosova. Vonesat e mundshme ose reagimet jo të duhura në kërkesat e mundshme të investitorëve të cilët do të konsideroheshin për statusin e investitorëve strategjikë, do të sillnin zhgënjim në mesin e kompanive të interesuara.

Së fundi ka një debat të madh për mundësinë e shfuqizimit të Gjykatës Speciale, sa mund të kete impakt në ekonominë dhe në imazhin e Kosovës?

Zeka: Kosova ka qenë mjaftueshëm burim i lajmeve të këqija të cilat ndikojnë në perceptim negativ për vendin në mesin e investitorëve potencialë. Sundimi i ligjit është një element i rëndësishëm në mesin e faktorëve të cilët investitorët i analizojnë para se të marrin vendimin për të investuar në një vend. Në ndërlidhje me këtë, Kosova duhet të demonstrojë se është e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit. Institucionet duhet të konsiderojnë ndikimet negative që veprimet e mundshme politike në kundërshtim me këshillat e shteteve mike të Kosovës, do të kishin në imazhin e vendit. Tashmë, mediumet më të njohura globale kanë kthyer sërish sytë kah Kosova dhe nismat politike të cilat thuhet se do të izolojnë vendin dhe dëmtojnë perspektivën e tij për integrim euro-atlantik. Kosova, po prodhon sërish tituj të mëdhenj, dhe aspak pozitivë, në mediet globale, të cilat pa dyshim se do të tërheqin vëmendjen e investitorëve potencialë.

Sa dëmtohet imazhi i biznesit nga sulmi i polisicë se Kosovës ndaj Agron Mustafës?

Zeka: Kohëve të fundit, bizneset në Kosovë kanë shprehur shqetësime të mëdha përkitazi me situatën e sigurisë. Numri i shtuar i vjedhjeve dhe plaçkitjeve të armatosura të cilat nuk po ndriqohen nga ana e policisë kanë rritur ankthet e bizneseve në Kosovë. Aktet e dhunës ndaj Drejtorit të Telekomit të Kosovës, e aq më shumë të ushtruara nga organet e zbatimit të ligjit, të cilat do të duheshin dhënë maksimumin që bizneset të ndjehen më të sigurta në punën e tyre, në një mjedis për të cilin edhe ashtu ka shqetësime të mëdha në aspektin e sigurisë, do të ishin një dekor i keq në imazhin edhe ashtu negativ për vendin. Prandaj, rastet si ky, por edhe rastet e dhunës ndaj gazetarëve dhe zyrtarëve të tjerë, të cilat sikur janë shtuar kohëve të fundit, duhen dënuar zëshëm dhe nga të gjithë. Policia e Kosovës është ndër institucionet më të besueshme në vend, ndërsa pjesëtarët e saj në të gjitha nivelet, duhet të kontribuojnë që ky besim të vazhdojë.