Zhdukja e patates rugovase

Në trevën e Rugovës së pasluftës më kot kërkon toka të punueshme sikur dikur. Ato i ka mbuluar bari në shumicën e 14 fshatrave të kësaj treve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Plugjet kanë prishur miqësinë me kuajt e qetë. Ndonjë plug bie në sy i hedhur e i harruar në ndonjë skaj prapa stallave. Lëvrimi i tokës dhe mbjellja e kulturave të ndryshme bujqësore që kultivoheshin me shekuj në ato vise nuk është më pjesë e kulturës rugovase si më parë.

Një prej këtyre kulturave të zhdukura bujqësore ka qenë edhe patatja tradicionale rugovase. Lufta e fundit, lëvizja e popullatës dhe zbrazja e Rugovës nga banorët rezidentë në vitet e pasluftës e ka zhdukur këtë kulturë bujqësore, me të cilën identifikohej e gjithë kjo trevë.

Ditëve të tregut në Pejë patatja e Rugovës ka qenë më e kërkuara. Sa herë që zbrisnin me kalin e ngarkuar me thasë të mbushur me patate, rugovasit nuk kanë pritur shumë në treg për ta shitur.

“Patatja e Rugovës ka qenë e thatë si gështenja kur piqej”, kanë zakon të thonë rugovasit kur flasin për patatet e tyre tradicionale.

Lexo edhe:  Furrtarët s’e pranojnë ngritjen e çmimit të bukës, thonë se u shtrenjtua mielli

Ndërsa, në ditët e sotme rrallë shihet ndonjë pëllëmbë toke që mbillet me këtë kulturë. Edhe ata që e mbjellin ndonjë arë tokë kanë qenë kryesisht të moshuarit që u ka mbetur adet.

Një prej tyre është edhe 78-vjeçari Tahir Nikçi nga fshati Shtupeq i Madh. Jo për ta shitur, por vetëm për nevoja të veta ka vazhduar ta kultivojë pataten edhe për disa vjet pas lufte..